2027 kandidatë kanë aplikuar për t’u regjistruar në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”

Në afatin e parë të konkursit për regjistrim në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), kanë aplikuar 2027 kandidatë. Në bazë të konkursit të shpallur në vitin akademik 2016/17 në UMIB, do të pranohen 1460 studentë.

Interesimi më i madh ashtu sikur në vitet tjera ka qenë për Fakultetin e Edukimit, ku për  173 vende kanë aplikuar 984 kandidatë.  Në Fakultetin Juridik për 161 vende kanë aplikuar 376 kandidatë, ndërsa në Fakultetin Ekonomik për 230 vende kanë aplikuar 366 kandidatë.

Interesimi ka qenë i mirë edhe për programet teknike. Në Fakultetin e Gjeoshkencave për 207 vende kanë aplikuar 73 kandidatë, në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore për 208 vende kanë aplikuar 112 kandidatë, ndërsa në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike për 481 vende kanë aplikuar  152 kandidatë.

Provimet pranuese do të mbahen të mërkurën (20 korrik 2016) në të gjitha fakultetet. Prej orës 09:00 provimet mbahen për kandidatët që kanë aplikuar në Fakultetin e Gjeoshkencave, Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike.  Në këto fakultete provimit do t’i nënshtrohen vetëm  ata  kandidatë që nuk e kanë provimin e maturës.

Prej orës 09:00 provimi pranues do të mbahet për kandidatët e Fakultetit Juridik, prej orës 12:00 për kandidatët e Fakultetit Ekonomik dhe prej orës 15:00 dhe 17:00 për kandidatët e Fakultetit të Edukimit.