Rektori Musaj Dhe Homologu I Tij, Jean Peeters

Universiteti i Mitrovicës, pjesë e një projekti ndërkombëtar për shkëmbime universitare

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren dhe “University of South Bretagne” në Lorinet të Francës, bashkërisht kanë përfituar një projekt në fushën e  arsimit të lartë nga Komisioni Evropian. Është fjala për projektin “International Credit Mobility”, në kuadër të të cilit parashihet shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik.

Për të shqyrtuar mundësitë që ofrohen nga Komisioni Evropian për të përfituar fonde dhe projekte të ndryshme me interes për universitetet, rektori i Universitetit të Mitrovicës, Alush Musaj, ka vizituar “University of South Bretagne” në Lorinet të Francës, ku është takuar me homologun e tij, Jean Peeters. Në këtë vizitë ishte edhe prorektori për Marrëdhënie me Jashtë i Universitetit të Mitrovicës, Rifat Morina si dhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj.

Në takim të tre rektorët kanë biseduar për zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe mundësitë që ofrohen nga Komisioni Evropian për të aplikuar për ndonjë projekt në fushën e arsimit të lartë. Gjatë qëndrimit në Lorinet të Francës, rektorët Musaj e Vataj, kanë vizituar edhe kampusin  e “University of South Bretagne”, ku zhvilluan takime me dekanë të fakulteteve dhe profesorë të lëmive të ndryshme.

Gjithashtu ata morën pjesë edhe në Seminarin Franko-Ballkanik, të organizuar nga Ministria e Arsimit në Francë. Në këtë seminar, ndër të tjera u diskutua për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve nga Franca me ato nga Ballkani.

Për këtë mundësi rektorët Musaj e Vataj biseduan më konkretisht me përfaqësues të Universitetit të Bordos, Universitetit të Lilles dhe Universitetit të Lionit.