Edhe studentët e masterit nisin me 1 tetor ligjëratat në Universitetin e Mitrovicës

Pas përgatitjeve që janë bërë me kohë, të enjten ka nisur viti i ri akademik në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB). Pos studentëve të nivelit bachelor, duke përfshirë edhe rreth 1200 studentë të rinj që janë regjistruar sivjet në 6 fakultetet që funksionojnë në kuadër të UMIB-it, më 1 tetor kanë filluar ligjëratat edhe studentët e nivelit master.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, tha se përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik janë bërë me kohë, prandaj sivjet është bërë e mundur që edhe studentët e nivelit master të fillojnë ligjëratat me 1 tetor. “Përkundër sfidave të natyrave të ndryshme që përballemi ne si universitetet i ri, me angazhimin e menaxhmentit, personelit akademik dhe stafit të administratës, jemi konsoliduar për një vit të suksesshëm akademik”, tha ai.

Rektori Musaj, uroi studentët dhe profesorët për fillimin e vitit akademik, dhe kërkoi prej tyre përkushtim të vazhdueshëm në mënyrë që gjithçka të shkoj mbarë dhe mirë. “Pas zgjedhjes së organeve drejtuese, tash krejt fokusi ynë mbetet në rritjen e cilësisë së punës që bëhet në UMIB, në mënyrë që studentët tanë të jenë konkurrent në tregun e punës”.

Ai shfaqi shpresën se vitin tjetër akademik studentët e UMIB-it do ta nisin në objektin e ri universitar që është duke u ndërtuar. “Kemi premtime të mëdha se objekti do të jetë i gatshëm për vitin tjetër, kështu që shpresojmë shumë se vitin tjetër akademik do ta nisim në objektin e ri, ku do të ketë kushte shumë të mira për punë”, tha rektori Musaj.

Ndryshe në konkursin e rregullt të shpallur nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” për pranimin e studentëve të rinj në vitin akademik 2015/16, kanë aplikuar 1601 kandidatë. Sipas konkursit në vitin akademik 2015/16 do të pranohen 1242 studentë, prej tyre 1160 nga Kosova, 41 nga komunitetet dhe 41 nga jashtë.