Marrëveshje bashkëpunimi në dobi të punës kërkimore në universitete

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, do bashkëpunojnë  në fushën akademike duke krijuar kontakte të drejtpërdrejta edhe për anëtarët e departamenteve dhe fakulteteve. Për këtë qëllim të hënën u nënshkrua në Mitrovicë një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre universiteteve, nga rektori i UMIB-it, Prof. Asoc. Dr. Alush Musaj dhe rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Prof. Dr. Ramë Vataj.

Të dy rektorët e kanë vlerësuar si një marrëveshje të rëndësishme, që do të mundësoj zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve që ata udhëheqin. Ata shprehën zotimin e tyre për të kryer aktivitetet që nevojiten për të realizuar objektivat e marrëveshjes.

Në kuadër të marrëveshjes me gjithsej tetë pika, janë precizuar obligimet që kanë universitetet për jetësimin e kësaj marrëveshjeje. Ndër të tjera, parashihet shkëmbimi i vizitave të anëtarëve të stafit didaktik dhe kërkimor, që kanë për qëllim promovimin e seminareve, kurseve, konferencave etj.  Poashtu planifikohet shkëmbimi i botimeve, materialeve akademike, shkëmbimi i studentëve pasuniversitarë dhe personelit kërkimor më qëllim të ndjekjes së seminareve etj.

Në një pikë të veçantë të marrëveshjes, saktësohet se bashkëpunimet e veçanta  ndërmjet njësive akademike të të dy universiteteve do të përcaktohen me protokolle të veçanta. Si të tilla ato do të firmosen edhe nga përfaqësuesit e tyre kompetentë.

Rektori i UMIB-it, Prof. Asoc. Dr. Alush Musaj, potencoi se kjo marrëveshje bashkëpunimi, ashtu sikur të tjerat që janë nënshkruar me universitete jashtë dhe renda vendit, është me interes dhe në dobi të vetë studentëve si dhe të punës kërkimore në universitet.