Objektiiri

Kampusi universitar në Mitrovicë do të jetë i standardeve evropiane

Objektet që janë duke u ndërtuar për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të kompletohen me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në mënyrë që të shndërrohet në një kampus modern universitar. Këtë e premtoi ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, i cili vizitoi UMIB-in se bashku me zëvendësministrin, Hajredin Hyseni dhe bashkëpunëtorë të tjerë.

Në takim me rektorin e UMIB-it, Alush Musaj, ai bëri të ditur se tashmë kanë nisur procedurat edhe për objektin tjetër universitar krahas atij që tashmë është në fazën e fundit. “Deri në muajin qershor të vitit të ardhshëm presim që të përfundoj objekti i parë që është në fazën e fundit, ndërkohë që pritet të filloj edhe ndërtimi i objektit tjetër”, tha ai.

Ai u zotua që të vazhdoj mbështetjen edhe për projektet tjera në kuadër të këtij kampusi universitar. “Do të vazhdojmë realizimin e projekteve për infrastrukturën përcjellëse, në mënyrë që projekti në tërësi të jetë i kompletuar”, theksoi ministri, Jagxhillar.

Në anën tjetër, rektori Musaj, e ka vlerësuar përkushtimin e ministrit Jagxhillar për kampusin universitar në Mitrovicë. “Për shkak të rrethanave të njohura në Mitrovicë, UMIB-i  funksionon në objekte të ndërmarrjes “Trepça”. Tash presim që sa më shpejtë të krijohen kushte për t’u vendosur në objektet tona, të cilat do të ofrojnë kushte shumë të mira për punë”, tha Musaj.

Në këtë kontekst, ai tha se në kampusin universitar planifikohet edhe ndërtimi i rektoratit si dhe rregullimi i infrastrukturës së nevojshme përcjellëse. “Jemi të kënaqur me ecurinë e punëve si dhe me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës që janë duke na ndihmuar për këtë kampus, që do të jetë i standardeve të larta”.