Arel University

Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Arel” të Stambollit

Për studentët dhe profesorët e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është hapur edhe një mundësi me shumë sa i përket bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave me universitetet jashtë Kosovës. Së fundi është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi edhe me   Universitetin “Arel” nga Stambolli.

Marrëveshja e bashkëpunimit është nënshkruar nga rektori i Universitetit “Arel”, Mehmet Çivi dhe rektori i UMIB-it, Alush Musaj. Gjatë vizitës në këtë universitet, rektori Musaj dhe prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina, janë takuar edhe me kryetarin e bordit të këtij universiteti, Kemal Gozukara.

Të dy palët e kanë vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy universiteteve. Ata janë shprehur të vendosur që të marrin hapat e duhur që prej marrëveshjes të përfitojnë studentët dhe profesorët. Rektori Çivi dhe kryetari i bordit, Gozukara, kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar UMIB-in në fusha të ndryshme me interes.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, tha se bashkëpunimi me universitetet në Turqi është treguar mjaft i frytshëm. Ai përmendi se si rrjedhojë në universitete të ndryshme turke, me të cilat bashkëpunon UMIB-i, kanë përfituar si studentë ashtu edhe profesorë që kanë janë bërë pjesë e projekteve të ndryshme.