Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin e Çanakalasë

Studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), tash e tutje do të kenë në dispozicion për avancimin e  tyre profesional edhe kapacitetet e Universitetit të Çanakalasë nga Turqia. Kjo është bërë e mundur pas nënshkrimit të një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy universiteteve nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe homologu i tij nga Universiteti i Çanakalasë, Yucel Acer.

Në takimin që u zhvillua të enjten në rektoratin e UMIB-it, rektori Musaj, e njoftoi homologun e tij me historikun e Universitetit, sfidat dhe të arriturat e tij. Duke folur për bashkëpunimin ndëruniversitar, Musaj theksoi se UMIB-i ka një përvojë të shkëlqyer bashkëpunimi me universitetet nga Turqia.

Ndërsa, rektori Acer, u shpreh i kënaqur me marrëveshjen e bashkëpunimit, e cila do të hap një mundësi të mirë për shkëmbime universitare. “Jemi të përkushtuar që bashkëpunimin e nisur ta thellojmë dhe ta bëjmë sa më të frytshëm për studentët dhe mësimdhënësit tanë”, tha ai.

Ndër të tjera në marrëveshjen e bashkëpunimit, parashihet përgatitja e projekteve të përbashkëta në fushën e shkencës. Për këtë pikë u fol më tepër edhe në takim, ku u vu në spikamë mundësia e përfitimit të granteve nga bashkësia evropiane nëpërmjet projekteve të përbashkëta nga të dy universitetet.

Gjithashtu parashihet shkëmbimi i studentëve dhe mësimdhënësve, mandej organizimi i konferencave shkencore, seminareve etj.