Marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Luigj Gurakuqi”

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) vazhdon të intensifikojë bashkëpunimin me universitet e rajonit. Në këtë kuadër drejtuesit e UMIB-it kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër si dhe kanë trajtuar fushat e mundshme për bashkëpunim me Universitetin e Podgoricës në Mal të Zi.
Gjatë takimeve që ka zhvilluar në Shkodër dhe Podgoricë, rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i cili shoqërohej nga prorektori për Marrëdhënie me Jashtë, Rifat Morina si dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Vahid Avdiu, ka shprehur interesim që te gjenden fushat e prekshme ku mund të shtrihet bashkëpunimi ndëruniversitar. Ai ka vlerësuar se para se gjithash shkenca duhet të jep shembullin më të mirë të bashkëpunimit në rajon.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, rektori i këtij universiteti, Artan Haxhi, tha se ata kanë një traditë të shquar në fushën e edukimit. Si rrjedhojë të dy palët u pajtuan që të fokusohen në këtë drejtim, meqë Fakulteti i Edukimit në UMIB është i ri dhe ka nevojë për mbështetje.
Poashtu sipas marrëveshjes për bashkëpunim planifikohet edhe shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve ndërmjet dy universiteteve. Të dy rektorët u zotuan që praktikisht të jetësojnë këtë marrëveshje në të mirë të të dyja universiteteve.
Ndërsa, gjatë vizitës në Universitetin e Podgoricës, drejtuesit e UMIB-it u takuan me rektoren, Radmila Vojvodić. U bisedua për fushat e mundshme të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy universiteteve. Në këtë drejtim u përmenden projektet rajonale në fushat universitare që janë duke u realizuar tashmë nga universitetet e rajonit.
Rektori Musaj, ka vlerësuar se këto marrëveshje për bashkëpunim dhe projektet e përbashkëta me universitetet e rajonit, por edhe më gjerë, kanë mundësuar që UMIB-i të hap mundësi të reja për studentët dhe profesorët.