Tryeza

Mëtohet intensifikimi i bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe biznesit

 Bashkëpunimi ndërmjet universiteteve dhe bizneseve është i domosdoshëm për të dyja palët, si kusht për të qenë të suksesshëm edhe universitetet, por edhe bizneset. Kështu u konkludua në tryezën e rrumbullakët “Roli dhe rëndësia e institucioneve të arsimit të lartë (IAL), drejt intensifikimit dhe ndërveprimit universitet – industri në Kosovë”, që u mbajt të premten në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB).

Dekani i Fakultetit Ekonomik, Besat Hajrizi, në hapje të kësaj tryeze, ku morën pjesën rektorë të universiteteve publike, përfaqësues të institucioneve lokale dhe qendrore, biznesmenë, mësimdhënës e studentë, tha se universitetet duhet të transformohen në universitete ndërmarrëse. Ai gjithashtu ceku domosdoshmërinë për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet universiteteve, qeverisë dhe bizneseve.

Ndërsa, rektori i UMIB-it, Alush Musaj, vlerësoi jashtëzakonisht kontributin e bizneseve për zhvillimin e programeve të reja. “Është momenti i duhur që universitetet të fillojnë angazhimin për të ardhmen e tyre, që patjetër se është e lidhur me biznesin dhe zhvillimin ekonomik”, tha ai.

Ndërsa, Visar Idrizi, kryetar i Bordit Këshillëdhënës të UMIB-it, tha se kjo nismë është një hap i mirë për ta analizuar situatën aktuale sa i përket thellimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe bizneseve. “Biznesi është dashur të kyçet shumë më herët në universitete, sidoqoftë po bëhen hapa të mirë që duhet të vazhdojnë”, theksoi ai.

Në tryezë diskutuan edhe rektorët e universiteteve tjera publike, të cilët prezantuan përvojat e tyre sa i përket bashkëpunimit me botën e biznesit. Në anën tjetër, drejtues dhe përfaqësues të bizneseve shprehën gatishmërinë për bashkëpunim me universitete në mënyrë që të përfitojnë të dyja palët.

Në kuadër të kësaj tryeze u inaugurua solemnisht edhe Bordi Këshillëdhënës i UMIB-it, që ishte themeluar ditë më parë.

3