[wpml_language_selector_widget]
         
Ftu

Memorandum mirëkuptimi në mes FTU-së dhe SHIQK-së

Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), Milaim Sadiku dhe kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve të Kosovës (SHIQK), Gani Durmishaj, kanë nënshkruar memorandum mirëkuptimi, përmes të cilit kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellë, duke synuar ngritjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve dhe njohurive profesionale. Qëllimi i bashkëpunimit mes palëve nënshkruese është që të kontribuohet në ngritjen e relevancës dhe përshtatshmërisë të sektorit të edukimit me ato të nevojave të tregut, dhe të sigurohet ndikimi pozitiv në rritjen e efiçencës dhe efektshmërisë së bizneseve në sektorin e qumështit.

Dekani Sadiku, duke e vlerësuar këtë marrëveshje mirëkuptimi, tha se planifikohet që FTU-ja në kuadër të programeve të studimeve do të ketë lëndë për qumështin përkatësisht nga “Teknologjia e përpunimit të qumështit”. Sipas tij,  kuadrot e shkolluara në FTU do të jenë më të përgatitura në fushën e përpunimit të qumështit. “Studentët e FTU-së në të njëjtën kohë do ta zhvillojnë punën praktike-profesionale në kompanitë anëtare të SHIQK-së”, tha ai.

Në anën tjetër, kryetari i Shoqatës së Industrisë së Qumështoreve të Kosovës (SHIQK), Gani Durmishaj, tha se nga ky bashkëpunim përfitojnë të dy palët. “Bashkëpunimi do të reflektoj në ngritjen e kapaciteteve humane me kërkesat e tregut të punës, pastaj në drejtuesit dhe palët e tjera të interesit të prodhuesve vendor të qumështit, në trajnime dhe seminare të ndryshme, që të aftësohen profesionalisht resurset humane brenda sektorit për të rritur cilësinë e qumështit dhe aplikimin e metodave dhe praktikave më të mira në fushën e teknologjisë së qumështit në Kosovë”, tha ai.

Ky memorandum bashkëpunimi është pesëvjeçar.