Kelly Sweeney Ne Universitetin E Mitrovices

Një student amerikan bëhet pjesë e Universitetit “Isa Boletini”

Në krejt informacionet që kishte kërkuar për Kosovën dhe Mitrovicën në internet kishte gjetur ato për Urën e Ibrit dhe problemet që ndodhnin herë pas herë aty. Kishte qenë i frikësuar në fillim, mirëpo më në fund kishte vendosur që të vinte pikërisht në Mitrovicë, më saktë në Universitetin “Isa Boletini”, për të kryer një projekt studimor. Është fjala për Kyle Sweeney, një i ri i rritur në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe ka përfunduar studimet bachelor në një program që ka të bëj me ujërat dhe mjedisin.

Ai pranon se perceptimet që kishte krijuar për Kosovën nga informacionet që kishte lexuar në internet nuk ishin shumë të mira. “Ideja që kisha krijuar për Kosovën nga informacionet që kisha parë dhe realiteti këtu janë krejt ndryshe. Më duket vend i qetë, ndërsa  njerëzit shumë miqësor”.

Sweeney, thotë se më herët nuk kishte shumë informacione për Kosovën, mirëpo gjatë punës kërkimore në universitet ka hasur në punime shkencore për ujërat dhe gjendjen e mjedisit në Mitrovicë. “Pasi kam lexuar ato punime jam bindur se Kosova dhe veçanërisht Mitrovica, paraqet një rast shumë të mirë për studim, prej ku mund të përfitoj shumë në aspektin profesional”, tha ai.

Pasi ishte bindur se Mitrovica mund t’i shërbente idesë për të kryer një projekt shkencor që ka të bëj me ujërat dhe mjedisin, me të cilin do të regjistroj studimet master në SHBA, ai kishte aplikuar dhe kishte fituar bursën Fulbright dhe prej tetorit të këtij viti është vendosur në Kosovë. “Më kanë pritur jashtëzakonisht mirë të gjithë. Kam raporte të shkëlqyera me profesorët, kam krijuar miq studentë dhe në përgjithësi ndjehem si në shtëpinë time këtu”.

Projektin e tij studimor, Swenney do ta kryej në kuadër të Fakultetit të Gjeoshkencave të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.  Ai do të qëndroj një vit në Kosovë.