Prezantimi Ne Gjilan

Rektori Musaj dhe prorektori Zeqiri morën pjesë në hapjen e projektit të “HERAS”

 

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, i shoqëruar nga prorektori për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore, Izet Zeqiri, ka marrë pjesë të martën në hapjen e punëtorisë në kuadër të projektit të “HERAS”  në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan. Projekti përqëndrohet në ndërtimin e kapaciteteve institucionale dhe burimeve njerëzore në ndërtimin e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Menaxhim të Projekteve në gjashtë universitete publike të Kosovës.

Në takimin që u mbajt në Gjilan, ishin të pranishëm rektorët e gjashtë universiteteve publike që janë pjese e këtij projekti. Ata u mirëpriten nga rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, Bajram Kosumi, i cili përshëndeti të pranishmit në këtë takim për këtë projekt të rëndësishëm sa i përket universiteteve publike në Kosovë.

Ndërsa, rektori i Universitetit “Isa Boletini”, Alush Musaj, tha se projekti që ka të bëj me hartimin e një rregulloreje për fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar, është tepër me rëndësi për universitetet kosovare. “Është jashtëzakonisht me rëndësi që të kemi një standard të përbashkët si universitete publike edhe në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar”, tha ai.

Përndryshe në kuadër të projektit, planifikohet që zyrat e projektit fillimisht të krijohen përmes një vendimi nga drejtuesit – rektorët e anëtarëve të konzorciumit të Kosovës.  Një pjesë e përpjekjeve për ndërtimin e kapaciteteve të këtij projekti fillimisht do të përqëndrohet në zhvillimin e rregullores në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimin e projekteve.

Planifikohet që kjo do të bëhet në një përpjekje konkrete për të zhvilluar një rregullore përkatëse për gjashtë universitetet. Përndryshe ngritja e kapaciteteve dhe hartimi i rregullores do të bëhet në fillim të zbatimit të projektit të udhëhequr nga ekspertiza e partnerit austriak.

Në këtë kuadër parashihet që së paku tre anëtarë nga çdo universitet i Kosovës që përfitojnë nga ky projekt do të marrin pjesë në ngritjen e kapaciteteve – hartimin e rregulloreve. Një tjetër aspekt i ndërtimit të kapaciteteve të zyrave është zhvillimi dhe përdorimi i bazës së të dhënave të projekteve për të gjitha universitetet, që do të shërbejnë për krijimin e bashkëpunimit dhe për t’u angazhuar në projekte të përbashkëta.

Punëtoria për këtë projekt vazhdon të mërkurën në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren.