DSC 0059

Rektori Musaj premton mbështetje për Parlamentin Studentor

Menaxhmenti i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të mbështes të gjitha aktivitetet me interes për studentët që organizohen nga Parlamenti Studentor. Këtë mbështetje e ofroi rektori, Alush Musaj, në një takim me përfaqësuesit e rinj të Parlamentit Studentor.

Rektori Musaj, tha se aktivitetet që janë zhvilluar gjatë viteve të kaluara nga studentët kanë qenë shumë të mira dhe të dobishme për studentët. “Organizimi i panairit studentor me rastin e përvjetorit të themelimit të Universitetit, që tashmë është bërë tradicional, është një praktikë e mirë për studentët, Universitetin dhe të rinjtë që duan të bëhen pjesë e Universitetit “Isa Boletini””.

Në këtë kontekst, ai premtoi mbështetje edhe në të ardhmen në mënyrë që Parlamenti Studentor të ketë mundësi për jetësimin e projekteve të veta. “Është bërë një punë e mirë sa i përket përfaqësimit studentor në të gjithë mekanizmat e Universitetit, duke krijuar mundësi që zëri juaj të dëgjohet në të gjitha nivelet e vendimarrjes”, tha rektori.

Në anën tjetër, kryetari i Parlamentit Studentor, Shend Musliu, i cili shoqërohej edhe nga bashkëpunëtorët, falënderoi rektorin për pritjen dhe mbështetjen. “Përvoja e mirë e bashkëpunimit që ka qenë ndërmjet përfaqësuesve të Parlamentit Studentor, do të na ndihmoj që ta vazhdojmë dhe intensifikojmë  bashkëpunimin”.

Në këtë takim, ai numëroi aktivitetet që janë organizuar nga Parlamenti Studentor në të kaluarën dhe për planet që kanë në të ardhmen. “Jemi të lumtur për mbështetjen që po na ofron rektori i Universitetit, për ka jemi shumë mirënjohës”, tha ai.