Projekti Heras

Rektori Musaj priti në takim përfaqësuesit e projektit “HERAS”

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, ka pritur të hënën në takim, përfaqësuesit e projektit “HERAS” (Arsimi i Lartë, Hulumtimi dhe Shkencat e Aplikuara në Kosovë), Arbresha Meha dhe Xhavit Rexhaj. Në takim u diskutua për implementimin e këtij projekti me rëndësi për arsimin e lartë në Kosovë, ku janë të përfshira edhe universitetet publike.

Rektori Musaj, shprehu përkrahjen për projektin “HERAS”, duke pasur parasysh mundësitë që ofron ai për universitetet, në këtë rast për Universitetin “Isa Boletini”. “Jemi shumë të përkushtuar që të bëhemi pjesë e projekteve të tilla, që sjellin risi dhe përmirësim në arsimin e lartë në Kosovë”, tha ai.

Ndërsa, Arbresha Meha nga projekti “HERAS”, sqaroi se një nga komponentët e projektit është edhe “MASHT-i”. “Synohet aplikimi i qasjes për  planifikim të arsimit të lartë të bazuar në profilizimin regjional të institucioneve publike të arsimit të lartë në linjë me Ligjin e ri të arsimit të lartë. Për ta zhvilluar këtë komponentë projekti ka angazhuar ekspertë ndërkombëtar dhe vendorë, të cilët do ta mbështesin MASHT-in në zhvillimin e mekanizmave, kapaciteteve dhe instrumenteve për profilizim rajonal të arsimit në Kosovë”, tha ajo.

Ditë më parë, një grup studentësh dhe mësimdhënësish nga Universiteti “Isa Boletini”, në Mitrovicë kanë marrë pjesë në prezantimin e projektit “HERAS”. Studentët dhe mësimdhënësit u njoftuan se projekti do të zgjasë tri vjet dhe synon të ndihmojë në ngritjen e cilësisë në universitetet publike. U tha se qëllimi i tij është  të kontribuojë në zhvillimin e arsimit të lartë, stimulimit të punës kërkimore- shkencore brenda universiteteve dhe orientimit të të rinjve në fushën e shkencave aplikative, për të ndihmuar zhvillimin socio-ekonomik të vendit.

Ndryshe projekti HERAS është i adresuar për tri nivele, atë të politikave​, të universiteteve dhe nivel kërkimor. Kjo synohet  të arrihet nëpërmjet investimit në bursa për doktoratë dhe post-doktoratë,  projektet e përbashkëta kërkimore dhe partneritetet midis institucioneve të arsimit të lartë kosovar dhe austriak

Projekti realizohet në bashkëpunim në mes Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA – Austrian Development Agency) dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. Të drejtë aplikimi kanë të gjitha universitet publike dhe konkursi për aplikim tashmë është i hapur online. Për më shumë informata dhe shkarkim të aplikacioneve për secilën fushë mund të shfrytëzohet www.herakosovo.org.