Rektori Musaj jua uron 17 Shkurtin – Ditën e Pavarësisë së Kosovës

Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, jua uron 17 Shkurtin – nëntë vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, studentëve, stafit akademik, punëtorëve të administratës dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Rektori Musaj, vlerëson se përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës, paraqesin momente frymëzimi dhe reflektimi. “Pavarësia e Kosovës sublimon përpjekjet njëshekullore të popullit shqiptar të Kosovës për liri dhe shtet”, tha ai

Përvjetorët e Pavarësisë së Kosovës, thotë Musaj, janë katalizatorë rifreskimi për të mbledhur energji të reja për të forcuar këtë shtet që është amanet i brezave, amanet i Adem Jasharit dhe gjithë të rënëve për liri. “Shtet i fuqishëm do të thotë institucione të fuqishme, zhvillim ekonomik, universitete serioze dhe jetë më të mirë për të gjithë”.

Duke u fokusuar në rrjedhat aktuale në Universitetin e Mitrovicës, ai thotë se konsolidimi i shpejtë si institucion i arsimit të lartë, sukseset e studentëve dhe përkushtimi i stafit akademik e administrativ, u japin kuptim festave, posaçërisht përvjetorëve të Pavarësisë së Kosovës.