Foto

Studentët e UMIB prezantojnë gjetjet e hulumtimit në emisionin “për ditë të mbarë – RTV21”

Studentet e Fakultetit të Edukimit pranë Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”, Miranda Barut, Pranvera Shala dhe Edina Dibrani, prezantuan gjetjet e hulumtimit të tyre “Qëndrimi i bashkëmoshatarëve ndaj fëmijëve që belbëzojnë në shkollat fillore në Mitrovicë”, në Emisionin “Për Ditë të Mbarë – RTV21”, Prishtinë. Ky hulumtim u realizua nën udhëheqjen e Profesorit Besim Gollopeni, që njëherësh është edhe bartës i modulit “Metodologji e Shkencave Shoqërore” në UMIB. Hulumtimi ishte njëra nga detyrat shkollore (universitare) që duhet të përmbushnin studentët deri në vlerësimin final për modulin në fjalë.

Hulumtimi kishte për qëllim të gjejë cilat janë qëndrimet e bashkëmoshatarëve ndaj fëmijëve që belbëzojnë në shkollat fillore të Mitrovicës, dhe rezultatet ishin mjaft inkurajuese. Për mostër janë zgjedhur 100 nxënës të klasës së V, VI, VII, VIII dhe IX të tri shkollave fillore në Mitrovicë.  Instrumenti i përdorur ishte “Intervenimi në klasë për ndryshimin e qëndrimit të bashkëmoshatarëve për fëmijët të cilët belbëzojnë” – “Classroom intervention to change peers’ attitudes towards children who stutter” (Kathard et al., 2014). Të dhënat janë sistemuar dhe analizuar në Paketën Statistikore të Shkencave Sociale – SPSS 20.

Gjetjet kryesore të hulumtimit tregojnë për qëndrime pozitive të bashkëmoshatarëve ndaj fëmijëve që belbëzojnë, ku 91% e bashkëmoshatarëve do të donin që të jetonin afër një fëmije i cili belbëzon dhe 74% e bashkëmoshatarëve do të ishin të lumtur po të kishin shok një fëmijë i cili belbëzon. Ndryshe nga gjetjet e Langevin et al. (2009) se rreth një e pesta e Kanadezëve në klasën e tretë deri në klasën e gjashtë kanë mbajtur qëndrime negative ndaj bashkëmoshatarëve të  tyre që belbëzojnë.

Për fund, studentet falënderuan udhëheqësin e tyre shkencor – Profesorin Besim Gollopeni për përkrahjen profesionale dhe akademike deri në finalizimin e këtij punimi, falënderim kishin për UMIB për mundësin e dhënë dhe për Institucionet publike në Komunën e Mitrovicës që mbështetën në forma të ndryshme dhe të tjerë. Për më tepër, shikoni linkun në vazhdim: