Studentet Ne Shkoder

Studentët mitrovicas bashkëpunojnë me kolegët e tyre në Shkodër

Bashkëpunimin që kanë nisur drejtuesit e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) me ata të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër,  po e vazhdojnë studentët e këtyre dy universiteteve. Në këtë kuadër, kryetari i Parlamentit Studentor të UMIB-it, Fitim Latifaj, së bashku me bashkëpunëtorë ka vizituar Universitetin në Shkodër, ku kanë zhvilluar takime të shumta.

Në takim me zëvendësrektorin e këtij universiteti, Fatmir Vadohej, u bisedua për mundësitë që ofrohen për studentët nga Kosova që duan të studiojnë në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Me theks të veçantë u bisedua për mundësitë e shkëmbimit të studentëve ndërmjet Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe Universitetit të Mitrovicës.

Ndërsa,  në takim me drejtuesit e organeve të studentëve u fol për sfidat me të cilat ballafaqohen studentët si në Mitrovicë ashtu edhe në Shkodër. Kryetari i Parlamentit Studentor të UMIB-it, Fitim Latifaj, shprehu gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me rëndësi për studentët.

Ndryshe para disa javësh, rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe ai i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Artan Haxhi, kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, ku ndër të tjera planifikohet shkëmbimi i studentëve dhe profesorëve ndërmjet dy universiteteve.