Mirenjohje

Studentët shënuan 5-vjetorin e themelimit të Universitetit

Parlamenti Studentor i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, ka organizuar disa aktivitete për të shënuar 5-vjetorin e themelimit të Universitetit. Me këtë rast ata kanë ndarë mirënjohje për studentë që kanë kontribuuar për liritë dhe të drejtat e studentëve.

Kryetari i Parlamentit Studentor, Shend Musliu, tha se 5-vjetori i Universitetit është një moment reflektimi për studentët, të cilët i vlerësojnë të arriturat e këtij Universiteti që ka hapur shtigje të reja për ta. “Jemi të kënaqur me arritjet dhe jemi shumë të vendosur që të përballemi me sfidat në mënyrë që Universiteti “Isa Boletini” të rrugëtoj drejtë sukseseve të reja”.

Ai tha se në këtë përvjetor, Parlamenti Studentor,  ka ndarë mirënjohje për 15 studentë, të  cilët janë dalluar për angazhimin e tyre sa i përket lirive dhe të drejtave të studentëve.  “Si rezultat i angazhimit të drejtuesve të mëparshëm studentor dhe bashkëpunimit me menaxhmentin e Universitetit, ne si studentë përfaqësohemi në të gjitha stukturat universitare”.

Në kuadër të këtyre aktiviteteve, drejtuesit e Parlamentit Studentor, kanë vizituar edhe Kompleksin Përkujtimor “Adem Jashari” në Prekaz, me rastin e “Epopesë së Jasharëve”, ku janë pritur nga Rifat Jashari.