DSC 0049

Studenti amerikan, ndihmon studentët e Edukimit që ta mësojnë gjuhën angleze

Ka vetëm një muaj që gjendet në Kosovë, më saktësisht në Mitrovicë, mirëpo  kanë mjaftuar që studenti amerikan, Dimitri Diagne, të mësoj disa fjalë në gjuhën shqipe. Megjithatë angazhimi i tij ka të bëj më shumë me gjuhën angleze, për çka gjatë gjithë vitit akademik 2018/19 do të jetë në dispozicion të studentëve të Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Si përfitues i bursës nga Programi Fullbright, ai do të qëndroj në Universitetin “Isa Boletini”, prej tetorit e deri në qershor të vitit të ardhshëm, duke ndihmuar studentët që të rrisin nivelin e gjuhës angleze. Gjithashtu ai gjatë ligjëratëve dhe punës me studentë, do të provoj që të shpalos informacione edhe për historinë dhe kulturën në Amerikë.

Studenti amerikan, shprehet shumë i kënaqur me pritjen nga profesorët dhe studentët. “Jam pritur jashtëzakonisht mirë nga të gjithë. Profesorët janë shumë të këndshëm, ndërsa studentët shumë energjikë”.

Ai thotë se për Kosovën ka dëgjuar një rrëfim tjetër nga ai që është në realitet. “Informacionet për Kosovën janë tjera, dhe tjetër është realiteti”, thotë ai, duke vënë në dukje tolerancën e madhe fetare që ekziston në Kosovë.

Thotë se për dallim prej SHBA në Kosovë nuk ka stereotipe fetare. “Kam vërejtur se Kosova është një vend i vogël, por me një kulturë dhe histori të madhe”.