1

U hap “Panairi i Shkencës 2019”

Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për shënimin e 6-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të mërkurën është hapur “Panairi i Shkencës 2019”. Në panairin e organizuar nga Parlamenti Studentor kanë marrë pjesë studentë të të gjitha fakulteteve si dhe nxënës të shkollave të mesme.

Rektori i UMIB-it, prof.dr. Alush Musaj, i ka përshëndetur të pranishmit dhe e ka shpallur të hapur “Panairin e Shkencës 2019”, duke falënderuar Parlamentin Studentor për këtë organizim. “Mirë se keni ardhur në këtë organizim në kuadër të shënimit të 6-vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë. Është një mundësi e mirë për studentët tanë që të tregojnë për punën që bëhet në Universitetin tonë dhe për mundësitë që ofrohen për të rinjtë që duan të studiojnë këtu”.

Rektori Musaj, ua uroi 6-vjetorin e UMIB-it, dekanëve, mësimdhënësve dhe studentëve dhe duke falënderuar  të gjithë për angazhimin e tyre.

3