KD, 14 Dhjetor 2015

U mbajt mbledhja IX e Këshillit Drejtues

Këshilli Drejtues (KD) i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), ka mbajtur të hënën takimin IX, ku janë shqyrtuar dhe miratuar 5 pika të rendit të ditës. Pas miratimit të ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së kaluar, rektori i UMIB-it, Alush Musaj, i ka informuar anëtarët e KD-së për rrjedhat ndërmjet dy mbledhjeve.

Rektori Musaj, u fokusua në realizimin e buxhetit në kuadër të UMIB-it. Gjithashtu përmendi edhe disa nga aktivitetet kryesore që janë zhvilluar në UMIB gjatë kësaj kohe.

KD-ja shqyrtoi dhe miratoi pikën e rendit të ditës për emërimin e një komisioni për hartimin e Rregullores për përgjegjësitë dhe procedurat disiplinore për studentët e UMIB-it. Anëtarët e KD-së  vlerësuan se hartimi i një rregulloreje të tillë është me rëndësi për studentët e UMIB-it, meqë përcaktohen qartë  përgjegjësitë e tyre disiplinore.

Në këtë takim u miratua edhe Raporti i Zyrës për zhvillim akademik. Kryetari i KD-së, Vahid Avdiu, tha se është kjo një punë e mirë që është bërë e cila vë në pah sfidat dhe të arriturat e UMIB-it.

Në fund u shqyrtuan edhe u mor vendimi edhe për dy kërkesa drejtuar KD-së.