DSC 0052

U promovua libri “Energjia” me autor, Abdullah Begolli

Është promovuar të mërkurën në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, libri “Energjia” me autor, Abdullah Begolli. Në përurim ishin të pranishëm drejtuesit e Universitetit, mandej dekanë, profesorë, studentë etj.

Rektori, Alush  Musaj, e ka përgëzuar autorin për librin që ka sjellë për studentët, profesorët dhe publikun kosovar në përgjithësi, duke pasur parasysh sfidat e vendit sa i përket energjisë. “Autori na ka nderuar me këtë libër dhe me promovimin e këtij libri që do të ndihmoj studentët e kësaj fushe”, tha ai.

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, Hakif Zeqiri, foli për biografinë  e autorit të librit “Energjia”. Ai e vlerësoi përkushtimin dhe mundin shumëvjeçar të Abdullah Begollit, i cili përvojën dhe dijen e tij në fushën e energjisë të fituara në Gjermani, i ka përmbledhur edhe për studentët kosovarë dhe të tjerët që merren me këtë fushë.

Për librin disa fjalë i tha edhe recenzenti, Ali Muriqi. Ai theksoi se autori e ka sinkronizuar jetën personale me atë profesionale. “Është një botim që ka karakter të manualit dhe librit shkencor”, tha ai.

Ndërsa, vetë autori, Abdullah Begolli, i falënderoi të pranishmit që ishin në promovim. Mandej foli për përmbajtjen e librit, që ka gjithsej 416 faqe dhe është i ndarë në 17 kapituj.