Bk1

U themelua Bordi Këshillëdhënës i UMIB-it

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), është hapur për bizneset me qëllim të krijimit të mundësive për rritje të bashkëpunimit dhe përfitimit të ndërsjellë. Si rrjedhojë në një takim të përbashkët që zhvilluan të hënën në rektorat, drejtuesit e UMIB-it me drejtues dhe përfaqësues të bizneseve, u pajtuan për themelimin e Bordit Këshillëdhënës të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.

Rektori i UMIB-it, Alush Musaj, falënderoi bizneset për mbështetjen dhe gatishmërinë e tyre që nëpërmjet këtij bordi të bëhen pjesë e Universitetit. “Bashkëpunimi i Universitetit me bizneset ndikon në rritjen e cilësisë së kuadrove që ne nxjerrim. Nëpërmjet këtij bordi bizneset do të mund të ndikojnë në zhvillimin e programeve të reja, që janë të nevojshme për ekonominë tonë”, tha rektori Musaj.

Ndërsa, dekani i Fakultetit Ekonomik, Besart Hajrizi, theksoi se hapja e Universiteti për bizneset është shumë e rëndësishme. “Ideja është që universitetet të zhvillohen në universitete ndërmarrëse. Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe bizneseve është në të mirë të dyanshme”, tha ai.

Krijimin e Bordit Këshillëdhënës të UMIB-it e mbështeten edhe drejtuesit dhe përfaqësuesit e bizneseve që ishin të pranishme në takim. Ata thanë se është  e domosdoshme që të thellohet bashkëpunimi që do të ndihmoj zhvillimin e programeve të reja që do të prodhojnë kuadro të nevojshme për tregun e punës.

Drejtuesit e pranishëm në takim vendosën që kryetar i Bordit Këshillëdhënës të jetë Visar Idrizi, nënkryetar,  Sami Ferizi dhe sekretar, Shpat Musliu.  Ata u zotuan për angazhim në mënyrë që bordi të jap frytet e veta sa i përket bashkëpunimit të Universitetit me biznese.

Ndryshe, në statutin e këtij bordi, thuhet se qëllimi është lidhja e të gjitha bizneseve, për të krijuar bashkëpunim të vazhdueshëm dhe krijimin  e  lidhjeve  në  mes  bizneseve dhe Universitetit.