Konferenca E Rektorve

U themelua Konferenca e Rektorëve

Është mbajtur të enjten në Prishtinë mbledhja e parë konstituive e Konferencës së Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë, ku kanë marrë pjesë rektorët e shtatë universiteteve publike në Republikën e Kosovës.  Në këtë mbledhje, anëtarët e Konferencës kanë miratuar edhe Rregulloren e Punës së Konferencës së Rektorëve, ndërsa sipas UA 11/2016 është zgjedhur edhe kryesuesi dhe zëvendës kryesuesi  i saj.

Për dy vitet e ardhshme Konferenca do të kryesohet nga Marjan dema, rektor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa zëvendëskryesues do të jetë Ramë Vataj, rektor i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren.

I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili themelimin e Konferencës së Rektorëve, e vlerësoi si ngjarje të rëndësishme për arsimin e lartë, pasi që theksoi faktin se ky organ është themeluar pas një tradite gati gjysmëshekullore të arsimit të lartë. “Ky është një sukses i përbashkët i të gjitha universiteteve tona publike. MAShT është jashtëzakonisht e kënaqur që e ka ndihmuar këtë proces, sepse tanimë Konferenca e Rektorëve do të jetë një organ shumë i rëndësishëm i ndërtimit të standardeve në arsimin e lartë”, tha ministri, ndërsa theksoi se përmes këtij organi po fillojmë procesin e stabilitetit në arsimin e lartë, procesin e ngritjes së cilësisë dhe rritjes së besimit në opinion.

Ministri Bajrami ftoi të gjithë partnerët që të mbështesin universitetet, që të besojnë se mund të ndërtohet një arsim i cilësor, sepse ekzistojnë të gjitha kapacitetet. “Universitetet e forta krijojnë një shoqëri demokratike, krijojnë një shtet të suksesshëm dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë që kemi karshi këtij procesi”, tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se MAShT do ta mbështes këtë organ, i cili në punën e vet do të jetë plotësisht autonom.