Me Rektorin E Elbasanit

Universiteti i Mitrovicës bashkëpunon me Universitetin e Elbasanit

Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB) dhe Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, prej tash e tutje do të bashkëpunojnë ngushtë në fushën akademike. Për këtë është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe rektori i Universitetit të Elbasanit,  Liman Varoshi.

Marrëveshja është nënshkruar në Elbasan gjatë një vizite që realizoi atje rektori Musaj i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij. Të dy palët u dakorduan që të punojnë për së afërmi që të identifikohen fushat ku bashkëpunimi mund të jetë i frytshëm.

Rektori Musaj, tha se përvoja që ka Universiteti i Elbasanit është një mundësi e mirë që do të shfrytëzohet nga studentët dhe mësimdhënësit e UMIB-it. “Jemi të përkushtuar që të shfrytëzojmë kapacitetet që ofrojnë universitetet tona për studentët dhe mësimdhënësit tanë”, tha ai.

Në anën tjetër, rektori  i Universitetit të Elbasanit,  Liman Varoshi, përgëzoi drejtuesit e UMIB-it për punën e mirë që kanë bërë sa i përket konsolidimit të punës në Universitet, duke pasur parasysh se ka vetëm tre vite prej themelimit të tij. “Është një punë e mirë që është bërë nga drejtuesit e UMIB-it që dëshmon për përkushtim dhe profesionalizëm sa i përket fushës akademike”, tha ai.

Ndryshe UMIB-i deri me tani ka vënë kontakte dhe bashkëpunon me pothuajse të gjitha universitet në trojet shqiptare. Poashtu ka marrëveshje bashkëpunimi edhe me një numër të madh të universiteteve në rajon, Evropë por edhe SHBA. Gjithashtu është pjesë edhe e projekteve të ndryshme ndërkombëtare.