Universiteti i Mitrovicës bashkëpunon me Universitetin Teknik të Rigas

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë do të bashkëpunoj me Universitetin Teknik të Rigas në Letoni, në projekte të përbashkëta në të mirë të studentëve dhe mësimdhënësve. Për këtë është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet këtyre dy universiteteve nga rektori, Alush Musaj dhe homologu i tij, Leonids Ribickis

Gjatë një vizite që janë duke realizuar në Letoni, drejtuesit e Universitetit “Isa Boletini” janë interesuar që në bashkëpunim me Universitetin Teknik të Rigas, të hapin një post-inkubator për biznese. Kjo ka qenë një nga temat që është diskutuar ndërmjet të dy rektorëve.

Rektori Musaj, e ka falënderuar homologun e tij për mundësitë e ofruara sa i përket bashkëpunimit universitar. “Është edhe një mundësi më tepër për studentët dhe mësimdhënësit tanë, duke pasur parasysh se Universiteti Teknik i Rigas, është universiteti më i vjetër teknik në vendet baltike i themeluar më 14 tetor 1862”.

Përndryshe në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, janë specifikuar obligimet për secilin universitet. Në kuadër të bashkëpunimit parashihet edhe shkëmbimi i studentëve dhe mësimdhënësve.

Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, është duke krijuar një përvojë të mirë bashkëpunimi me universitete të ndryshme nëpër botë, duke ofruar mundësi të mëdha për studentët dhe mësimdhënësit.  Si fryt i bashkëpunimit së fundi dhjetë studentë mitrovicas kanë mundësi që të kryejnë pjesën praktikë për përgatitjen e masterit në Universitetin Teknik të Bursës në Turqi.