Zyrë postare për të lehtësuar pagesat e studentëve

Me qëllim të krijimit të kushteve më të mira dhe lehtësimit të pagesave për studentë, në hapësirat e Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do të hapet një zyrë postare. Për këtë u dakorduan rektori i UMIB-it, Alush Musaj dhe kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, të cilët të enjten nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi.

Rektori Musaj, tha se me hapjen e zyrës postare do të krijohen lehtësira për studentët, por edhe për profesorët dhe stafin administrativ të UMIB-it. “Është një projekt i mirë i Postës së Kosovës për ofrimin e shërbimeve më të mira dhe më të lira, të cilin ne e kemi mbështetur”, tha ai.

Ndërsa, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, Sejdi Hoxha, ka falënderuar rektorin Musaj për bashkëpunim. Ai sqaroi se në këtë zyre postare do të mund të kryhen të gjitha pagesat me shërbime shumë më të lira.