Universiteti “Isa Boletini” bëhet me Qendër të Ekspertizës për industrinë e qumështit
Në Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore (FTU) të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, do të hapet Qendra e Ekspertizës, që ka për qëllim trajtimin e ujërave të shkarkuara nga industria e qumështit si dhe rritjen e cilësisë së prodhimeve të qumështit. Për këtë qëllim është nënshkruar një marrëveshje ndërmjet Shoqatës së Qumështarëve të Kosovës (SHQK), FTU-së, Universitetit “Van Hall Larenstein” nga Holanda si dhe organizatës “YUNIKO”, të krijuar në Holandë, që janë partner të këtij projekti.
Dekani i FTU-së, Milaim Sadiku, tha se ideja është që kjo Qendër e Ekspertizës të shërbej si një qendër rajonale edhe për shtetet si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. “Duke pasur parasysh zhvillimin e industrisë së qumështit dhe nevojën për trajtimin e ujërave të shkarkuara si dhe rritjen e cilësisë së qumështit, kjo qendër do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme për këtë sektor”, tha ai.
Sipas tij, objektivi i parë i Qendrës së Ekspertizës është që të lehtësojë ShQK-un për t’u bërë më e qëndrueshme dhe më konkurruese. “Fokusi do të jetë në sfidat lidhur me trajtimin e ujërave të zeza, përmirësimin e proceseve të prodhimit dhe efiçiencën e energjisë”.
Ndërsa, si objektivë e dytë, sipas dekanit Sadiku, është që Qendra e Ekpsertizës, të krijoj një ndërlidhje bashkëpunimi mes sektorit të qumështoreve të Kosovës dhe atyre evropiane nëpërmjet ndërlidhjes me organizatat nga shtetet BE-së. Në këtë konteskt, ai përmend edhe pjesëmarrjen në projektet e BE-së dhe atyre vendore si dhe zhvillimin e ekspertizës dhe njohurive përmes shkëmbimeve me BE
Ndërsa, Gani Durmishaj, kryetar i SHQK-ut, tha se në Kosovë ka një rritje të mungesës së qumështit me kualitet të lartë si dhe produkteve të tij, mandej ka prodhim të pamjaftueshëm të qumështit cilësor, ka konkurrencë të rritur nga prodhuesit jashtë shtetit dhe ka nevojë për të ulur presionin e ndikimit ambiental. “Të gjithë këta faktorë e bëjnë Qendrën e Ekspertizës një pikë referimi për industrinë e qumështit në Kosovë dhe me gjasë edhe në rajon”.
Ndër aktivitetet kryesore që planifikohen të kryhen në Qendrën e Ekspertizës janë: ofrimi i ndihmës teknike për ShQK dhe qumështoret në problemet e tyre me trajtimin e ujërave të zeza, përpunimit të qumështit dhe efiçiencës së energjisë, të asistoj ShQK-në në problemet ne lidhje me ambientin me Qeverinë e Kosovës, të siguroj një infrastrukturë adekuate, pajisje dhe njohuri për kryerjen e hulumtimeve, për ekzekutimin e marrjes së mostrave të ujërave të zeza dhe për analiza laboratorike.
Gjithashtu Qendra e Ekspertizës mendohet të asistojë ShQK me edukimin dhe trajnimin për problemet me ambientin dhe prodhimin produkteve të qumështit, të përfshijë ekspert të sektorit të qumështit nga BE për prezantimin e teknologjive të reja dhe zhvillimeve, të lehtësojë studentët nga Kosova dhe BE për të marrë kurse praktike, për të kryer eksperimente dhe për të kryer kërkime së bashku me kompanitë e qumështit, të ndihmojë ShQK për marrjen e fondeve vendore dhe ndërkombëtare, të ndërlidhë ShQK dhe/ose qumështoret e Kosovës me qumështoret dhe organizata ndërkombëtare dhe të BE etj.
Qendra e Ekspertizës do të shfrytëzoj laboratorët dhe pajisjet e FTU-së dhe do të jetë në shërbim të të gjithë qumështarëve të Kosovës.