UMIB-i – pjesë e aktiviteteve të shumta që ndërlidhen me arsimin e lartë në Kosovë
Prorektorja për Mësimdhënie, Çështje të Studentëve dhe Kërkime Shkencore në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, Merita Shala, mori pjesë në tryezën e rrumbullakët dhe punëtorinë me temë “Status quo e Kërkimit dhe Zhvillimit të Inovacionit në Kosovë: Mendimet për R&I të ardhshme të Kosovës”. Punëtoria u organizua nga HERAS në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Ngjarja mblodhi më shumë se 50 pjesëmarrës nga institucione qeveritare, organizata ndërkombëtare në Kosovë, institucione të arsimit të lartë dhe kërkimit, OJQ, studiues dhe ekspertë ndërkombëtarë e vendorë. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte lëshimi i raportit për Hartimin e Sistemit të Kërkimit dhe Inovacionit në Kosovë. Ky raport është një përpjekje e parë për të ofruar një pamje të parë të sistemit aktual R&I në Kosovë, përfshirë sfidat dhe boshllëqet që ai ka në të vërtetë.
Prorektorja Shala dhe prorektorja për Buxhet dhe Financa, Ajtene Avdullahi së bashku me 30 studentë të Fakultetit të Edukimit, morën pjesë në Konferencën “Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme në Kosovë”, që u zhvillua në Prishtinë. Konferenca ishte një mundësi për hartuesit e politikave, ofruesit e shërbimeve, përfaqësuesit nga akademia dhe akterë të tjerë, për t’u informuar dhe ndarë praktikat më të mira mbi rëndësinë e investimeve në kujdesin dhe zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
Në kuadër të aktiviteteve të shumta për arsimin e lartë, prorektorja për Buxhet dhe Financa, Ajtene Avdullahi, mori pjesë në punëtorinë e parë që u organizua si pjesë e projektit “Cilësi, llogaridhënie, integritet dhe transparencë në arsimin e lartë (QAINT)”, Kjo punëtori u zhvillua me qëllim të hartimit të një skeme të grandeve për mësimdhënie të mbështetur në punë hulumtuese, e cila do të bashkë financohet dhe do të menaxhohet nga Ministra e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT).
Përmes kësaj skeme të grandeve do të përfitojnë mësimdhënësit e rinj të universiteteve publike, të cilët tashmë kanë aplikuar, ose do të aplikojnë në të ardhmen, në klasat e tyre mësimdhënie të mbështetur në punë hulumtuese.
UMIB-i është përfaqësuar edhe në ditën informuese “COST awareness DAY” për Programin e Bashkëpunimit Evropian në Shkencë dhe Teknologji, që u zhvillua në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë. Aktiviteti u organizua nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe e Teknologjisë, në bashkëpunim me Asociacionin COST dhe kishte për qëllim ofrimin e informatave rreth mundësive të përfitimit që kanë hulumtuesit nga Kosova në kuadër të asociacionit COST, përfshirë ndarjen e praktikave të mira dhe aspektin praktik.
Anëtarë të stafit të ri akademik të UMIB-it, morën pjesë në trajnimin mbi “Integritetin e Kërkimit”, i cili u, në ambientet e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.
Trajnimi ofroi njohuri mbi argumentet kryesore të Kodit Evropian të Sjelljes për Kërkime, Integritet dhe tregoi sesi kodi zbatohet në Austri dhe në të gjithë Evropën. Komisioni Evropian njeh këtë Kod si dokumentin referues për integritetin e kërkimit për të gjitha projektet kërkimore të financuara nga BE dhe si një model për organizatat dhe studiuesit në të gjithë Evropën.
Ngjarja është organizuar nga HERAS në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me MASHT.