1edu

Vizita e tretë studimore në Qendrën Burimore “Nënë Tereza”, Prizren

Më 30 maj 2024, studentët e Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Isa Boletini” realizuan vizitën e tretë studimore në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren, nën shoqërimin e shefes së programeve Ass. Gentiana Imeraj dhe Ass. Arbesa Uka. Kjo qendër shkollore për rehabilitimin dhe shkollimin e fëmijëve me nevoja të veçanta në dëgjim dhe të folur u themelua në janar të vitit 1950 në Mitrovicë, ndërsa në janar të vitit 1951, Kuvendi i Kosovës miratoi vendimin për themelimin e kësaj shkolle të tipit konviktor në Prizren.
Qëllimi i Qendrës Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren është transformimi në një qendër bashkëkohore të arsimit dhe edukimit të fëmijëve me nevoja të veçanta në dëgjim dhe të folur në Kosovë. Qendra ofron mbështetje me ekipin e saj profesional për të gjithë fëmijët që kanë nevojë për ndihmë profesionale. Ekipi i Qendrës Burimore shërben si konsulent për stafin arsimor që punon me këtë kategori të nxënësve.
Funksionet kryesore të Q.B.M.K “Nënë Tereza” përfshijnë:
 – Ofrimi i mësimdhënies për të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta në dëgjim dhe të folur.
 – Mbështetja në hartimin e planeve individuale të arsimit (PIA).
 – Identifikimi dhe referimi për vlerësimin e fëmijëve që janë jashtë procesit mësimor dhe atyre që janë në shkolla dhe institucione parashkollore dhe kanë nevojë për mbështetje.
– Mbështetja e institucioneve parashkollore dhe shkollave të rregullta, si dhe prindërve.
 – Mbështetja e nxënësve dhe mësuesve në shkolla të rregullta përmes mësuesve udhëtues.
 – Hartimi dhe shpërndarja e materialeve mësimore dhe ndihmëse për nxënësit.
– Ofrimi i pajisjeve teknike dhe mësimore për nxënësit me nevoja të veçanta në dëgjim dhe të folur dhe krijimi i mundësive të barabarta për fëmijët.
Përfundimisht, vizita ishte e rëndësishme për studentët e edukimit sepse u ofroi njohje të thellë me praktikat aktuale të arsimit gjithëpërfshirës dhe i ndihmoi ata të kuptojnë më mirë nevojat dhe sfidat e fëmijëve me nevoja të veçanta. Kjo përvojë e praktikës së drejtpërdrejtë mund të ndihmojë studentët të përgatiten më mirë për karrierën e tyre si mësimdhënës dhe të bëjnë ndikim pozitiv në arsimimin e të gjithë nxënësve, përfshirë ata me nevoja të veçanta.
Falënderojmë drejtorin z. Hysamedin Beshi, stafin dhe nxënësit e Q.B.M.K “Nëna Tereza” Prizen për mikëpritjen dhe informacionet e vlefshme.
1edu