334754574 479991580878085 6499480898318256897 N

Akademik Minir Dushi u nderua me titullin “Doctor Honoris Causa” me rastin e 10 vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë

Në një manifestim me rastin e 10 – vjetorit të themelimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), akademik Minir Dushi, është nderuar me titullin “Doctor Honoris Causa”. Vendimi për ndarjen e titullit është marrë nga Senati i UIBM më propozim të rektorit, prof.dr. Alush Musaj, me motivacion për kontribut në themelimin dhe ngritjen e institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë dhe zhvillimin e jetës akademike në Kosovë.

Në këtë ngjarje të organizuar në UIBM, përveç drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve lokale dhe qendrore, të pranishëm ishin edhe rektorë dhe profesorë nga universitetet e Kosovës, të Shqipërisë dhe Maqedonisë.  Gjithashtu pjesë e manifestimit ishin edhe ish – mësimdhënës dhe ish -studentë të institucioneve të arsimit të lartë në Mitrovicë.

Pas shfaqjes së një filmi dokumentar për rrugëtimin 62 vjeçar tw jetës akademike në Mitrovicë, të pranishmëve me një fjalë rasti ju drejtua rektori, prof.dr. Alush Musaj. Ai tha se themelimi i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, para 10 vjetësh ishte kurorëzim i një rrugëtimi prej gjysmë shekulli të jetës akademike. “Ishte një ëndërr e realizuar e gjeneratave të tëra që ishin pjesë e institucioneve të arsimit të lartë në qytetin buzë Ibrit”.

Sipas tij, vendimi i kryeministrit, Hashim Thaçi, për themelimin e Universitetit “Isa Boletini”, më 6 mars 2013, i dha fund dilemës që i kishte ndjekur institucionet e arsimit të lartë në Mitrovicë, për të qenë apo për të mos qenë në këtë qytet. “Dhe ia sot jemi këtu, në një kampus modern, në një institucion të konsoliduar, që ka krijuar kushte të jashtëzakonshme për të rinjtë tanë”.

Një fjalë rasti e ka mbajtur kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Vesa Broja, e cila ka uruar 10- vjetorin e këtij institucioni të arsimit të lartë në vend, që ka krijuar kushte dhe mundësi për të rinjtë që duan të studiojnë në programe atraktive. Një fjalë rasti e ka mbajtur edhe kryetarja e Parlamentit Studentor, Ariona Rushiti, ndërsa sekretari i përgjithshëm e ka lexuar vendimin e Senatit për ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa”.

Biografinë e akademikut Minir Dushi e ka lexuar prorektorja për Mësim, Çështje të Studentëve dhe Zhvillim të Cilësisë, prof.asoc.dr. Merita Shala, ndërsa rektori Musaj e ka ndarë titullin “Doctor Honoris Causa” për akademikun Dushi. Pasi ka pranuar titullin e ndarë nga UIBM, akademik Dushi, ka falënderuar rektorin Musaj për nderimin dhe respektin e treguar ndaj tij.

Për të madhështuar këtë ngjarje është përkujdesur kori i shkollës së muzikës “Tefta Tashko, mandej solokëngëtarja Blenda Kelmendi, e cila e përcjellur me piano nga Endi Abrashi është paraqitur me këngën T. Zadesë “N’mes dashurive”. Manifestimi është përmbyllur me një pikë artistike tjetër artistike nga Arben Ademi me violë dhe Vejsel Abdurrahmani me kitarë, të cilët kanë  luajtur pjesën “Humoresque” të A. Dvorak.

 

13