Francezet

Ambasada e Francës ofron mbështetje për Universitetin “Isa Boletini”

Ambasada e Francës në Kosovë do të mbështes Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë për të bashkëpunuar me universitetet franceze. Për këtë u zotua Cecile Fisteberg, këshilltare për bashkëpunim në Ambasadën e Francës, e cila e vizitoi të enjten Universitetin “Isa Boletini” e shoqëruar  nga Agathe Bouchet, përgjegjëse për bashkëpunim edukativ dhe universitar.

Në takim me rektorin, Alush Musaj dhe prorektorët, Izet Zeqiri e Ali Sadiku, u bisedua për mundësitë që ofrohen nga universitetet franceze për studentët dhe mësimdhënësit nga Kosova dhe në këtë rast nga Universiteti “Isa Boletini”. Të dy palët shprehën gatishmërinë që të realizohen projekte konkrete, prej të cilave do të përfitojnë studentët dhe mësimdhënësit.

Zyrtaret nga Ambasada e Francës, thanë se nëse ka interesim do të ndihmojnë për mësimin e gjuhës frënge, duke organizuar kurse të gjuhës në kuadër të  Universitetit “Isa Boletini”. “Duke pasur parasysh problemin e gjuhës që shkakton barriera për të interesuarit që të studiojnë në universitetet franceze, ne jemi të gatshëm që të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha  Cecile Fisteberg, këshilltare për bashkëpunim.

Në anën tjetër, rektori Alush Musaj, i ka falënderuar mysafiret për mbështetjen e ofruar që është shumë e mirëseardhur për studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit “Isa Boletini”. “Është një mbështetje e rëndësishme për Universitetin tonë, meqë do të lehtësoj punën për studentët që mund të studiojnë në Francë”.

Në takim u bisedua edhe për projekte të tjera të përbashkëta që mund të realizohen nga Universiteti “Isa Boletini” në bashkëpunim me Ambasadën e Francës.