11

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, mbajti ligjëratë në UIBM

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, shkëlqesia e tij, Jorn Rohde, i shoqëruar nga Christian Bottcher, udhëheqës i Departamentit të Kulturës dhe Shtypit në Ambasadën Gjermane,  ka vizituar të enjten Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).  Fillimisht ai është pritur në takim nga rektorja, prof.asoc.dr. Merita Shala, e cila e ka falënderuar për vizitën dhe mbështetjen sa i përket bashkëpunimit me universitetet gjermane.

Rektorja Shala, e cila shoqërohej nga dekani i Fakulteti Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi dhe dy anëtarët e Këshillit Drejtues: prof.asoc.dr. Halil Bajrami dhe prof.asoc.dr. Bashkim Bellaqa, e njoftoi ambasadorin për historikun e UIBM, të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet ky institucion i arsimit të lartë. U potencua gjithashtu rëndësia e mbështetjes nga ana e ambasadës gjermane  lidhur me projektet e ndryshme të arsimit të lartë në vend dhe rajon.

Pas takimit me rektoren, ambasadori Rohde, ka mbajtur një ligjëratë me titull: “Raportet gjermano – kosovare dhe gjendja aktuale politike” në Sallën e Konferencave në rektorat, ku kanë qenë të pranishëm mësimdhënës, studentë dhe mysafirë të tjerë. Ai foli për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve dhe mbështetjes që ka dhënë Gjermania për Kosovën në sfera të ndryshme.

Ambasadori gjithashtu përmendi edhe çështjen e vizave që ka qenë një padrejtësi ndaj kosovarëve në ndërkohë që u sugjeroi studentëve që ardhmërinë ta ndërtojnë në vendin e tyre. Sa i përket zhvillimeve politike, ai theksoi se Gjermania është e interesuar për një rajon të qetë dhe demokratik.

1