
Ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, vizitoi UIBM
Ambasadori i Finlandës, Matti Nissinen, ka vizituar të premten Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), ku u prit në takim nga rektorja, prof.dr. Nurten Deva e shoqëruar nga prorektorët, prof.dr. Sabri Avdullahi, prof.asoc.dr.Edita Bekteshi dhe prof.ass.dr. Bahtir Hyseni. Në takim u diskutua për bashkëpunimin që ka UIBM me universitetet finlandeze si dhe për shkëmbimet e studentëve dhe stafit akademik.
Rektorja Deva, e falënderoi ambasadorin për vizitën dhe mbështetjen sa i përket projekteve të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve. Ajo potencoi edhe përvojën e mirë të shkëmbimeve me “Savonia University of Applied Sciences” në Finlandë.
Ambasadori finlandez, tha se mbështetja e bashkëpunimeve ndërmjet universiteteve është një nga fushat e angazhimit të tyre. Ai gjithashtu shprehu gatishmërinë për t’u bërë pjesë e bashkëpunimit me UIBM edhe me ligjërata dhe tryeza që trajtojnë tema të ndryshme.
Pas takimit me rektoren, ambasadori Nissinen i shoqëruar nga prorektorët, prof.asoc.dr.Edita Bekteshi dhe prof.ass.dr.Bahtir Hyseni, kanë vizituar hapësirat e Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore.