2

Dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi ndan mirënjohje

Dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof. asoc. dr. Islam Qerimi, ka ndarë mirënjohje për personalitetet, që kanë kontribuar në zhvillimin e Fakultetit si dhe për studentët e dalluar të këtij Fakulteti për vitin 2023. Personalitetet që kanë pranuar mirënjohje për kontributin e dhënë për zhvillimin e Fakultetit janë: Shkrimtari Bedri Tahiri, i cili kishte dhuruar 34 tituj nga opusi i tij krijues, prof. dr. Fejzulla Berisha për mbajtjen e ligjëratës në fakultet si dhe dhurimin e 10 teksteve të tij universitare, prof. assoc. dr. Halil Bajrami për zhvillimin dhe avancimin e fakultetit, prof. dr. Nerxhivane Dauti për dhurimin e 40 teksteve të saj universitare.

Dekani ka ndarë mirënjohje për Shpat Musliun, zyrtar për shërbime studentore i Fakultetit Juridik për angazhimin e tij të madh në kryerjen e të gjitha detyrave lidhur me çështjet studentore, si dhe për Suzana Halilajn, zyrtare administrative e Fakultetit Juridik për korrektësinë e realizimit të korrespondencës Fakultet – Rektorat.

Ndërsa, nga radhët e studentëve, mirënjohje kanë pranuar 15 studentët e dalluar, njëherit edhe bursist nga ky fakultet. Dekani Qerimi përveç atyre që u ndau mirënjohje, i falënderoi edhe të gjithë ata që në vitin 2023 kanë dhënë kontribute të llojllojshme për avancimin e dijes në këtë fakultet.

 

1