1j

Dekani i Fakultetit Juridik, prof.asoc.dr. Islam Qerimi në rolin e Visiting Professor në Universitetin e Varshavës

Dekani i Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Prof. Asoc. Dr. Islam Qerimi, me ftesë të Dekanit të Fakultetit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Varshavës, Prof. Dr. hab. Daniel Przastek, qëndroi në cilësinë e profesorit musafir (visiting professor) në periudhën kohore prej 23.07.2024 deri më 01.08.2024. Këtë mundësi ia ofroi Universiteti i Varshavës.

Gjatë qëndrimit të tij, profesori Qerimi mori pjesë në një seri prezentimesh të temave juridike ndërkombëtare në “Konferencën e Shtatë Globale të Studimeve Ndërkombëtare” (Seventh Global International Studies Conference). Ai gjithashtu përcolli nga afër aktivitetet akademike të Prof. Dr. Marta Witkowska, e cila është edhe Redaktore e Revistës shkencore universitare “Przegląd Europejski, European Studies Quarterly”, ku profesori Qerimi është anëtar i Bordit shkencor dhe autor i disa punimeve shkencore.

Në këtë periudhë, takoi edhe me nënsekretarin e Ministrit të Arsimit të Lartë dhe të Shkencës së Polonisë, Prof. Dr. hab. Andrzej Szeptycki.Një aspekt i rëndësishëm i vizitës së tij ishte fokusimi në zhvillimin e negociatave për të arritur memorandume bashkëpunimi midis Fakultetit Juridik të UIBM-it dhe Fakultetit të Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit të Varshavës.

Në bisedimet e zhvilluara me Dekanin e këtij Fakulteti, Prof. Dr. hab. Daniel Przastek, me Prodekanin Dr. hab. Jakub Zajączkowski dhe me përfaqësuesit e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, u dakorduan për fillimin e hartimit të planit të bashkëpunimit që pritet të konkretizohet së shpejti. Gjithashtu, u diskutua opsioni i zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve, me synim promovimin e shkëmbimeve akademike dhe hulumtuese.

Në përfundim të qëndrimit të tij dhe pranimit të certifikatës si profesor vizitor, Dekani Qerimi falënderoi Prof. Dr. hab. Daniel Przastek, Prodekanin Dr. hab. Zajączkowski, stafin akademik dhe administrativ të Fakultetit për organizimin e këtij aktiviteti akademik. Një falënderim të veçantë ai shprehu edhe ndaj Prof. Dr. Marta Witkowska, e cila kishte iniciuar ftesën për pjesëmarrjen e tij si profesor vizitor.            

 

1j