
Dekani i Fakultetit Juridik, Qerimi, vlerësohet për kontributin në ngritjen e doktrinës shkencore të sigurisë së Republikës së Kosovës!
Në emër të Asociacionit të Kriminalistëve, Kriminologëve dhe Viktimologëve të Republikës së Kosovës, për kontributin e tij në ngritjen e Doktrinës Shkencore të Sigurisë së Republikës së Kosovës për vitin 2023/2024, Profesori Veton Vula i ndau mirënjohje Dekanit të Fakultetit Juridik të UIBM-it, Prof. asoc. dr. Islam Qerimi.
Në këtë rast, Dekani Qerimi u shpreh se është një privilegjë e veçantë të punosh dhe të vlerësohesh pozitivisht nga personalitete siç është profesori Vula si dhe asociacione profesionale, të cilat janë të angazhuara në avancimin e fushave të specializimit siç është Asociacioni i Kriminalistëve, Kriminologëve dhe Viktimologëve!
Ai falënderoi Asociacionin e Kriminalistëve, Kriminologëve dhe Viktimologëve për vlerësimin dhe besimin e dhënë, si dhe për mundësinë që iu dha për të kontribuar në avancimin e politikave dhe praktikave të sigurisë.
Më tutje, Dekani Qerimi theksoi se ky thellim i bashkëpunimit në këtë Institucion me ekspertë të dëshmuar brenda dhe jashtë shtetit të Kosovës, është një hap përpara në forcimin e institucioneve tona dhe një frymëzim për të vazhduar të punojmë së bashku për një të ardhme më të sigurt për Republikën e Kosovës.
Në fund të këtij solemniteti, duke i falënderuar Presidentin e Bordit të këtij Asociacioni, Profesorin Mensut Ademi, dhe Drejtorin Drizan Shala, PhD (c), Dekani Qerimi u shpreh se ndihet i motivuar të vazhdojë punën dhe angazhimin e tij për të dhënë edhe më shumë në përmirësimin e sigurisë, rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.