Dekani i Fakultetit Juridik, zhvilloi takim me nënkryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Bekim Veliqi
Sot, dekani i Fakultetit Juridik, Islam Qerimi së bashku me asistentin Xhemajl Veliqi (PhD c) dhe studentët Bleona Meholli dhe Shpëtim Preteni vizituan Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Ekipin e Fakultetit Juridik i priti në këtë takim pune nënkryetari i kësaj Gjykate, z. Bekim Veliqi. Ky takim kishte për qëllim mundësimin në këtë Gjykatë të organizimit të punës praktike për studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.
Fillimisht nënkryetari Veliqi, lavdëroi punën dhe përkushtimin e ish studentëve të Fakultetit Juridik që tani janë të punësuar në këtë gjykatë. Në vazhdim të këtij takimi dy palët u dakorduan që grupe të studentëve të Fakultetit Juridik të fillojnë me punën praktike që nga data 16 janar 2023. Ata gjithashtu, trajtuan edhe çështjen e transferimit të studentëve nga pjesa jugore e qytetit deri në Gjykatë.
Në fund dekani Qerimi falenderoi nënkryetarin e Gjykatës, z. Veliqi për pritjen e organizuar si dhe gjyqtarët tjerë të pranishëm në këtë takim si z. Avni Mehmeti Gjyqtar – Anëtar i KGJK-së, Ali Kutllovci – Gjyqtar si dhe znj. Lumnije Surdulli zëdhënëse e Gjykatës së Mitrovicës, si dhe ish studentëve të Fakultetit Juridik Bardh Sylejmani dhe Endrit Hajrizi, të cilët pa asnjë hezitim u shprehën të gatshëm të përkrahin iniciativën e filluar ndërmjet dekanit të Fakultetit Juridik dhe të nënkryetarit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.