Deputetja, Valdete Idrizi, vizitoi UMIB-in
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, prof.dr.Alush Musaj, e ka pritur të hënën në takim deputeten e Kuvendit të Kosovës, Valdete Idrizin, e cila është interesuar për zhvillimet në këtë institucion të arsimit të lartë. Në takim u bisedua për të arriturat dhe sfidat me të cilat përballet UMIB-i.
Deputetja Idrizi, e uroi rektorin për akreditimin institucional të UMIB-it si dhe për fillimin e vitit të ri akademik. “Jemi shumë të lumtur që UMIB-i është riakredituar, duke mundësuar regjistrimin e studentëve të rinj”, tha ajo.
Rektori Musaj, e falënderoi deputeten për interesimin e saj dhe shtroi çështjen e statutit të UMIB-it, që pritet të miratohet në Kuvendin e Kosovës. “Disa prej universiteteve publike ende funksionojnë me statute të përkohshme, tashmë draft-statutet e reja kanë kaluar procedurat dhe presim mbështetjen e deputetëve për miratimin e tyre”, tha ai.