Diplomimi

Diplomoi gjenerata e parë e studentëve në Fakultetin e Edukimit

Ka diplomuar gjenerata e parë e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”. Me këtë rast, rreth 70 studentë kanë marrë certifiktat për diplomimin e tyre në një ceremoni të organizuar të mërkurën në ambientet e këtij fakulteti.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm prorektori, Ali Sadiku, dekanja e Fakultetit të Edukimit, Merita Shala, dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave, Naser Peci, përfaqësues të institucioneve arsimore, mësimdhënës etj. Folësit në ceremoni thanë se diplomimi i gjeneratës së parë të studentëve  në Fakultetin e Edukimit është një moment i veçantë për Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”.

Prorektori, Ali Sadiku, ju uroi të diplomuarve, të cilët megjithëse kanë qenë gjenerata e parë, kanë treguar sukses të jashtëzakonshëm. “Ne jemi krenar me ju, meqë përkundër faktit se keni qenë gjenerata e parë, keni qenë shumë të suksesshëm”, tha ai.

Ndërsa, profesoresha Merita Shala, dekane në këtë fakultet, tha se ka qenë kënaqësi puna me studentët e gjeneratës së parë në Fakultetin e Edukimit, ashtu siç është edhe me gjeneratat tjera. “Jemi sfiduar së bashku, por përkundër hapësirave jo të përshtatshme sa i përket objektit, ia kemi dalur me sukses”.

Në emër të grupit të studentëve, foli Hatixhe Gashi, e cila falënderoi drejtuesit e Rektoratit të Universitetit, drejtuesit e Dekantit të Fakultetit dhe gjithë mësimdhënësit për mbështetjen e ofruar. “Jemi shumë të lumtur me suksesin tonë dhe jemi shumë të vendosur që të vazhdojmë drejt sukseseve të reja”, tha ajo.