Dita e dytë e Konferencës Ndërdisiplinore Ndërkombëtare “Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global”
Ka vazhduar të shtunën (17 nëntor), në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë, dita e dytë e Konferencës Ndërdisiplinore Ndërkombëtare “Vazhdimësia historike dhe ndryshimi: Ballkani në kontekst evropian dhe global”. Prezantimet e profesorit, Max Haller, nga Universiteti i Gracit në Austri, profesorit, Russell King, nga Universiteti “Sussex” nga Mbretëria e Bashkuar dhe profesorit, Ilir Gedeshi nga Universiteti i Tiranës, kanë zgjuar interesim dhe janë pritur me kërshëri nga pjesëmarrësit.
Përndryshe, koordinatori i konferencës, Besim Gollopeni, ka falënderuar edhe një herë të gjithë ata që kanë ndihmuar në organizimin e kësaj ngjarje të shënuar në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë. “Kanë qenë dy ditë të shënuara në Universitetin dhe qytetin tonë, meqë ka qenë një ngjarje që ka mbledhur studiues, personalitete dhe njerëz të shkencës e të dijes nga 18 vende të botës”.
Sipas tij, gjatë dy ditëve janë prezantuar 160 punime shkencore. “Kanë qenë gjithsej 220 autorë dhe bashkautorë që vijnë nga 18 vende të ndryshme”, tha ai.
Konferenca është organizuar nga Universiteti “Isa Boletini” në bashkëpunim me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe Kolegji “AAB”.