Ballina

Doli nga shtypi monografia “Jeta akademike në Mitrovicë (1961 -2023)”, e autorit, Ahmet Jashari

Ka dalur nga shtypi monografia “Jeta akademike në Mitrovicë (1961 -2023)”, e autorit, Ahmet Jashari, që është botuar nga Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM). Monografia është botuar me rastin e 62 – vjetorit të jetës akademike në Mitrovicë si dhe 10 -vjetorit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Çështjet në të cilat është fokusuar autori janë trajtuar në rrafshin tematik dhe kronologjik. Në rrafshin formal janë strukturuar në dy pjesë, në kapituj, nënkapituj dhe njësi të tjera më të vogla. Në pjesën e parë trajtohet hollësisht veprimtaria e Shkollës së Lartë Teknike (SHLT), e Fakultetit të Shkencave Teknike (FSHT) dhe e Fakultetit Xehetaro-Metalurgjik (FXM) përgjatë një periudhe kohore 50-vjeçare si pjesë e Universitetit të Prishtinës (UP).

Në pjesën e dytë autori fokusohet te veprimtaria 10-vjeçare (2013-2023) e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, por gama e çështjeve që trajton është shumë më e gjerë. Monografia hapet me fjalën e rektorit, hyrjen, një vështrim të shkurtër për Mitrovicën, për arsimin shqip në Mitrovicë dhe për arsimin e lartë në Kosovë, kurse mbyllet me përfundimin, përmbajtjen, listën e figurave, shkurtesat, burimet dhe literaturën si dhe një biografia e shkurtër e autorit.

Monografia për jetën akademike në Mitrovicë, përveç tjerash, është edhe një lloj mirënjohje për të gjithë ata që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme, qoftë ish-drejtues, mësimdhënës, studentë apo punëtorë të administratës së atyre institucioneve. Është një epokë e ndërtuar me sakrifica të mëdha, meqë pengesat kanë qenë të mëdha.

Redaktor i monografisë është, PhD(c) Miftar Kurti, recensentë: Arben Veselaj dhe Milaim Shefkiu, ndërsa lektor, Alfred Beka.