
Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Sami Istrefi, mbajti ligjëratë për studentët e Juridikut
Me ftesë të Prof.Asoc.Dr. Agron Beka, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë patën mundësinë të ndjekin një ligjëratë të veçantë nga drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Sami Istrefi. Ligjërata, e mbajtur në kuadër të lëndës “Bazat e Sistemit të Drejtësisë”, trajtoi çështje kyçe mbi organizimin dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, në garantimin e pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit prokurorial, si dhe sfidat aktuale në këtë fushë.
Gjatë prezantimit, drejtori i përgjithshëm ndau përvojën e tij profesionale dhe sqaroi aspektet praktike të menaxhimit dhe administrimit të sistemit prokurorial. Studentët patën mundësinë të bëjnë pyetje dhe të diskutojnë për temat që lidhen me funksionimin e institucioneve të drejtësisë në vend. Kjo ligjëratë e organizuar nga Prof.Asoc.Dr. Agron Beka u vlerësua si një kontribut i çmuar në formimin akademik dhe profesional të studentëve, duke iu ofruar atyre një perspektivë praktike mbi temat e studiuara në kuadër të programit të tyre universitar.