Trepca

Drejtuesit e UIBM dhe “Trepçës” dakordohen për bashkëpunim në projekte zhvillimore

Rektorja e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM), prof.dr. Nurten Deva e shoqëruar nga dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), prof.asoc.dr. Faruk Ahmeti, kanë pritur në takim një delegacion nga kompania “Trepça”, të udhëhequr nga kryeshefi, Faton Ahmeti. Në takim u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet UIBM dhe “Trepçës” në fusha me interes për të dyja palët.

Rektorja Deva, shprehu gatishmërinë për të mbështetur “Trepçën” në fushën profesionale me ekspertë dhe kërkime shkencore. Gjithashtu ajo potencoi rëndësinë e përfshirjes së kuadrove me përvojë që mund të ndihmojnë jashtëzakonisht projektet zhvillimore të kësaj kompanie.

Kryeshefi i “Trepçës”, Faton Ahmeti, ka vlerësuar se bashkëpunimi i mirë me UIBM ka nevojë të intensifikohet. Ai ka falënderuar rektoren për mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u përfshirë në projekte zhvillimore, ku padyshim se do të mund të përfitonin edhe studentët për pjesën praktike.