
Dy studentë të Fakultetit Ekonomik të UIBM vazhdojnë studimet për një semester në Poloni
Dy studentë të Fakultetit Ekonomik (FE) në Universitetin “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM): Omer Voca dhe Arlind Rushiti, po vazhdojnë studimet për një semestër në Fakultetin Ekonomik të “West Pomeranian University of Technology” në Poloni. Kjo mundësi për studentët e UIBM ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit ndëruniversitar në kuadër të projektit Erasmus+.
Fillimisht ata kanë kaluar testin e gjuhës angleze dhe mandej pas kompletimit të dosjeve me dokumente kanë regjistruar semestrin në “West Pomeranian University of Technology”. Studimet në Poloni, këta studentë i vlerësojnë si një mundësi dhe përvojë të jashtëzakonshme.
Në anën tjetër, edhe menaxhmenti i FE-së dhe UIBM-së shprehen të kënaqur për mundësitë që po ofrohen për studentët. Ata vazhdimisht i kanë inkurajuar studentët dhe mësimdhënësit që të bëhen pjesë e këtyre projekteve që ofrohen nëpërmjet programit Erasmus+, apo organizatave të tjera.