Edukimi identifikohet si fushë e mundshme bashkëpunimi me Universitetin e Elbasanit
Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), do ta shfrytëzoj përvojën e gjatë që ka Universiteti “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, për të avancuar studimet në programet e Fakultetit të Edukimit. Kjo fushë është identifikuar si një prej mundësive më të mira për bashkëpunim ndërmjet këtyre dy universiteteve, drejtuesit e të cilave kanë nënshkruar edhe zyrtarisht një Marrëveshje Bashkëpunimi para një muaji.
Për të intensifikuar bashkëpunimin e nisur, drejtuesit e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, kanë vizituar në fundjavë Universitetin e Mitrovicës. Rektori i Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, Liman Varoshi është pritur në takim nga homologu i tij, Alush Musaj, të cilët janë zotuar të jetësojnë në praktikë pikat e Marrëveshjes për Bashkëpunim.
Rektori Musaj, tha se UMIB-i shquhet për fushat teknike, dhe studimet në këtë fushë kanë një traditë të gjatë. Ndërsa për drejtimet e reja, sikur që është Fakulteti i Edukimit, kanë nevojë për mbështetje dhe për përvojën e mirë të universiteteve, sikur ai i Elbasanit.
Ndërsa, rektori Varoshi, u shpreh i kënaqur me mundësitë që ju kanë ofruar për bashkëpunim. Ai tha se universitetet mund të bashkëpunojnë duke e ruajtur identitetin e tyre.
Ndryshe UMIB-i deri me tani ka vënë kontakte dhe bashkëpunon me pothuajse të gjitha universitet në trojet shqiptare.