Ekspertët për akreditim mbajtën takimin e parë në Universitetin “Isa Boletini”
Në kuadër të procesit të akreditimit të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, të hënën u zhvillua takimi i parë ndërmjet menxhmentit të Universitetit dhe ekspertëve ndërkombëtar të akreditimit, që ishin të shoqëruar nga përfaqësuesit e Agjencionit për Akreditim të Kosovës. Ky proces ka të bëj me akreditimin e Universitetit si institucion dhe programeve që ofrohen në kuadër të tij.
Rektori i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë, Alush Musaj, tha se zhvilluan një takim të frytshëm me ekspertët ndërkombëtar. “Jemi përgatitur mirë për këtë proces dhe presim që gjithçka të shkoj mirë”, tha ai.
Grupi i ekspertëve për akreditim, që përbëhej nga prof.dr. Volker Gehmlich nga Universiteti i Osnabrukut, prof. dr. Volker Frederking nga Universiteti i Nürnbergut, prof. Stephen Adam nga Universiteti “Westminster”, prof. dr. Tauno Otto nga Universiteti i Talinit dhe prof. dr. Regita Bendikiene nga Universiteti i Kaunasit, pas takimit me menaxhmentin kanë vizituar hapësirat ku zhvillohet puna me studentë. Ata gjithashtu kanë vizituar laboratorët dhe kabinetet ku kryhet puna praktike.
Ekspertët do të takohen me bartësit e programeve për akreditim, dhe gjithashtu edhe me studentë.