Albulena Uka, i filloi studimet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini” (UMIB), më 2015. Kishte një entuziazëm të madh qysh në fillim. Në 2017 prezantoi UMIB-in në konferencën ndërkombëtare në “Harvard University”. Pas Harvardit në Amerikë, Albulena mori pjesë në shumë gara, konferenca e kongrese, në të cilat u shpërblye me mirënjohje për performancën e saj, siç ishin: në Bukuresht, Stamboll, Vjenë, Paris, Bruksel, Ankara, Budapest, Shkup etj.
“Universiteti i Mitrovicës më ka dhënë hapat e parë të zhvillimit akademik dhe më ka përgatitur për botën profesionale ndërkombëtare”, thotë ajo.
Në Kosovë është angazhuar gjatë kohës së studimeve edhe në praktika të institucioneve të ndryshme qeveritare dhe gjyqësore, siç janë Gjykata Themelore dhe Gjykata Kushtetuese në Prishtinë.
Më vonë Albulena, është përzgjedhur nga stafet organizative si drejtuese në konferenca të ndryshme siç ishin në: Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Zagreb, Këshillin për të Drejtat e Njeriut në Budapest, Këshillin e Bashkimit Evropian në Vjenë e Forumin e Lartë Politik në Tiranë.
Pas diplomimit në UMIB-i në qershor 2019 me notë mesatare 10, ajo fitoi bursë nga Komisioni Evropian për studime master. Albulena po vijon studimet e masterit ne Universitetin e Ghentit në Belgjikë, një ndër universitetet më të mira në botë.
Për momentin Universiteti i ka besuar rolin e Sekretares Gjenerale në Konferencën e Universitetit të Ghentit për vitin 2020.
Mesazhi i saj për të gjithë studentët është: “Mos e prisni mundësinë për t’u bërë të suksesshëm, por krijojeni vetë atë.”