Historiku i Fakultetit Ekonomik, UIBM

Fakulteti Ekonomik është një nga gjashtë njësitë akademike të Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë. Fakulteti Ekonomik u themelua më 04.07.2014, me vendimin nr. 548-14, i lëshuar nga Këshilli Shtetëror për cilësi (KSHC) i AKA-së. Duke u nisur nga nevoja e domosdoshme për organizimin dhe zhvillimin e arsimit të lartë sipas standardeve dhe kritereve të Universiteteve Evropiane dhe më gjerë, Fakulteti Ekonomik në Mitrovicë në kuadër të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë propozon modelin e studimeve të reformuara sipas planeve dhe programeve të mbështetura në rekomandimet e Deklaratës së Bolonjës.

Fakulteti Ekonomik në kuadër të Universitetit ‘’Isa Boletini’’ Mitrovicë (UIBM) ka filluar punën në vitin akademik 2013-14 në dy drejtime: Banka Financa dhe Kontabilitet; Menaxhment dhe Informatike si njësi akademike e UP në Prishtinë. Ndërsa, në vitin akademik 2014-15, startoi si njësi e pavarur  akademike në kuadër të UIBM.

Fakulteti Ekonomik, për vitin akademik 2015-16 pranoi studentë të rregullt në dy drejtime: Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe në Menaxhment dhe Informatikë, për 220 vende ku 200 vende ishin për studentë nga Kosova, 10 vende për komunitetet, si dhe 10 vende për: Preshevë, Bujanoc, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni.

Nga viti akademik 2015-16 Fakulteti Ekonomik organizoi studimet sipas plan programeve të miratuara nga Senati i Universitetit “Isa Boletini” Mitrovicë të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës, me ç’rast Agjensioni i Akredtimit ka akredituar programet e studimeve Bachelor (për të dy departamentet: Banka, Financa dhe Kontabilitet si dhe Menaxhment dhe Informatikë).

Fakulteti Ekonomik në nivelin bachelor ofron programin studimor Biznes dhe Menaxhment me dy specializime: Banka, Financa dhe Kontabilitet dhe Menaxhment dhe Ndërmarrësi.

Programet studimore që ofron Fakulteti Ekonomik janë përpiluar në bashkëpunim me palët e jashtme të interesit si dhe duke i pasur parasysh kërkesat e tregut vendor dhe ndërkombëtar të punës. Për këtë qëllim Fakulteti Ekonomik ka themeluar Trupën Këshillëdhënëse në kuadër të FE, në përbërjen e të cilit janë pronarë dhe menaxherë të bizneseve të suksesshme të rajonit dhe më gjerë, nga të cilët i marrim informatat lidhur me kërkesat e tregut të punës, kurse kërkesat e tyre ne ua përshtatim programeve të studimit.

FE ka nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi me shumë institucione të arsimit të lartë si brenda ashtu edhe jashtë vendit si dhe me biznese të suksesshme që u mundësojnë studentëve tonë që njohuritë teorike t’i zbatojnë në praktikë.

Fakulteti ynë është i përkushtuar të japë kontributin e vet për komunitet duke ofruar ekspertiza të ndryshme si për komunitetin e biznesit ashtu edhe për shoqërinë.