Themelet e studimeve të arsimit të lartë në Mitrovicë u vunë me hapjen e Shkollës së Lartë Teknike në vitin 1961. Në vitin 1970 në kuadër të Fakultetit Teknik hapen degët e Xehetarisë, Teknologjisë dhe Metalurgjisë, fillimisht në Mitrovicë, viti shkollor 1970/71, për të vazhduar pastaj në Prishtinë deri në themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë në vitin 1974. Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë në Mitrovicë është themeluar me Ligjin mbi themelimin e Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë nga Kuvendi i Kosovës me datën 22 korrik 1974. Në vitin e themelimit studimet u organizuan në këto degë: Xehetari, Teknologji dhe Metalurgji, kurse në vitin shkollor 1980/81 hapet edhe dega e Gjeologjisë.

Themelimi i Fakultetit të Xehetarisë dhe Metalurgjisë kishte një rendësi të madhe për tërë Kosovën. Ishte Kombinati Xehetaro-Metalurgjik “Trepça” që kishte nevojë të madhe për kuadro inxhinierie që dilnin nga Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë. Kuadrot e dala nga Fakulteti i Xehetarisë dhe Metalurgjisë dhe Shkolla e Lartë Teknike kanë zënë vend të merituar edhe në Kombinatin Elektroenergjetik të Kosovës, dhe tërë industrinë dhe ekonominë e Kosovës.

Studentët që studionin në Fakultetin e Xehetarisë dhe Metalurgjisë dhe Shkollën e Lartë Teknike ishin nga të gjitha trevat e Kosovës, marr parasysh se këto degë studioheshin vetëm në Mitrovicë. Një numër i madh i studentëve vinin edhe nga viset tjera shqiptare, nga Maqedonia dhe Presheva, Bujanoci dhe Medvegja dhe Mali i Zi. Shumë student – shtetas të huaj u regjistruan dhe diplomuan në këtë fakultet, posaçërisht nga Lindja e Mesme.

Mbi bazën e këtyre fakulteteve dhe duke u bazuar në traditën mbi 60 vjeçare të arsimit të lartë në Mitrovicë, Qeveria e Republikës së Kosovës me datën 06.03.2013 ka themeluar Universitetin Publik të Mitrovicës, kurse Kuvendi i Kosovës me datën 31 maj 2013 ka ratifikuar vendimin. Në bazë të Statutit të Përkohshëm, miratuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në kuadër të Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”(UMIB) funksionojnë gjashtë fakultete: Fakulteti i Gjeoshkencave (FGJT), Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore (FTU), Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike (FIMK), Fakulteti Juridik (FJ), Fakulteti Ekonomik (FE) dhe Fakulteti i Edukimit (FE).